Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkenës dhe Kulturës, Vjollca Shala, është shprehur se subvencionimi nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe maretiale mësimore, nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.
Ajo tha se edhe procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, duke theksuar se shumë prindër kanë vështirësi e procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, kjo po krijon pasiguri tek prindërit dhe nxënësit për sigurimin e teksteve në kohë.
“Subvencionimi, i cili është duke u bërë prej 80 eurove nuk është i mjaftueshëm, ngase librat për nxënësit e këtyre klasave nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpeshherë janë më të shtrenjta. Do të thotë nuk e përmbushin kërkesën dhe nevojën ato 80 euro për t’ju blerë tekste shkollore e mos të flasim për mjetet tjera”, tha Shala.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga data 15 gusht, mund të aplikohet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova. Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa me të njëjtën shumë do të subvencionohen nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.




