Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) European Centre for Disease Prevention and Control deri më 6 maj 2026, janë raportuar shtatë raste me hantavirus në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor, përfshirë tre viktima. Një person ndodhet në gjendje kritike, ndërsa hetimet laboratorike po vazhdojnë. Në disa mostra është konfirmuar prania e virusit Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.
Sipas vlerësimeve aktuale, transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur, dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa parandaluese në anije. Rreziku për popullatën e përgjithshme në BE/EEA nga ky shpërthim mbetet shumë i ulët.
Situata në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë. Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, duke treguar një nivel të ulët dhe të qëndrueshëm të sëmundjes në vend.
Çfarë është hantavirusi?
Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e tyre. Në Evropë, sëmundja më shpesh shfaqet si ethe hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV).
Periudha e inkubacionit zakonisht është rreth dy javë, por mund të zgjasë nga 7 ditë deri në 6 javë. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, shqetësime gastrointestinale dhe në raste të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.
Mënyra e transmetimit
Brejtësit e infektuar e përhapin virusin përmes urinës, fekaleve dhe pështymës. Infektimi ndodh kryesisht nëpërmjet kontaktit me ambiente të kontaminuara. Hantaviruset që qarkullojnë në Evropë nuk transmetohen nga personi në person dhe nuk barten nga insektet.
Kush është më i rrezikuar?
Më të ekspozuar janë:
- punonjësit e pyjeve
- fermerët
- personat që qëndrojnë në ambiente me prani të brejtësve
Trajtimi dhe parandalimi
Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral. Trajtimi është kryesisht mbështetës.
Për parandalim rekomandohet:
- shmangia e kontaktit me brejtës dhe mbetjet e tyre
- pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e hapësirave
- ventilimi i ambienteve të mbyllura para pastrimit
- përdorimi i maskës dhe dorezave gjatë pastrimit të vendeve të kontaminuara




