Më 14 maj 2026, gjatë zbatimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të shpejtë dhe të koordinuar në fshatin Novosellë të Kamenicës, ku është zbuluar një rast i kontrabandimit të mallrave.
Sipas policisë, pas informacioneve operative dhe vëzhgimit intensiv, është ndaluar një automjet me targa vendore, i drejtuar nga një shtetas kosovar, i dyshuar për transport të mallrave të kontrabanduara dhe hyrje ilegale në territorin e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit, janë sekuestruar rreth 106 kilogramë duhan të markave të ndryshme, të paketuar në qese nga 500 gramë, që dyshohet se ishte destinuar për tregun ilegal.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar.




