Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka monitoruar nga Zyra e Kryeministrit operacionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar mbrëmë në Skenderaj.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami tha se aksioni i Njësive Speciale në Skenderaj është ndjekur drejtpërdrejt nga Kryeministria.
Ai krahasoi këtë situatë me sulmin në Banjskë, duke pretenduar se Kurti po i trajton si “armiq imagjinarë” qytetarët e Drenicës, të cilën e quajti “epiqendër të patriotizmit shqiptar”.
Për këtë çështje, Behrami foli edhe në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ku tha se disa qytetarë i kanë dërguar fotografi nga ndërtesa e Qeverisë, ku sipas tij shihen automjete të blinduara pranë zyrës së kryeministrit.
Sipas Behramit, nga aty është koordinuar aksioni policor, ndërsa ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për, siç u shpreh, provokime politike ndaj Drenicës në periudha zgjedhore.
Ai shtoi se qytetarët nuk do të bien pre e provokimeve të tilla politike.




