Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Shkumbin Sekiraqa është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në vendimin e Apelit thuhet se ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtjes janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa është konfirmuar kualifikimi ligjor i veprave nga shkalla e parë.
Gjykata ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje procedurale dhe se vendimi i Themelores është marrë në bazë të provave materiale dhe ekspertizës mjekësore.
Sipas Apelit, në këtë rast nuk janë plotësuar elementet e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi shtënia me armë është konsideruar e izoluar dhe pa rrezik konkret për persona të tjerë.
Dënimi prej 4 vitesh e gjysmë burg mbetet në fuqi.




