Kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, dhe deputetja nga kjo parti Xhevahire Izmaku, kanë reaguar ndaj punimit të Dimal Bashës së publikuar dje, ku akuzohej rëndë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Limaj ka reaguar duke thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës.
“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”. – ka thënë Limaj.
Edhe deputetja nga kjo parti, Xhevahire Izmaku ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke e kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e Dimal Bashës.
“Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp! Dorëheqje ose shkarkim! Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së, edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës”, ka shkruar deputetja.




