Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka ngritur shqetësime për dy raste shpronësimesh në Komunën e Ferizajt, të cilat sipas saj kanë sjellë pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
Pacolli tha se ekzistojnë mospërputhje mes vlerësimeve institucionale, gjendjes në terren dhe vendimeve gjyqësore, duke kërkuar verifikim të plotë dhe hetim nga organet e drejtësisë.
Ajo theksoi se në një nga rastet është krijuar një diferencë e madhe në vlerësimin e pronës, ndërsa në rastin tjetër dyshohet për parregullsi në tjetërsimin e pronës publike, që sipas saj ka sjellë kosto të lartë për shtetin.
Pacolli kërkoi trajtim serioz të rasteve dhe tha se çdo dyshim për keqpërdorim do t’u përcillet institucioneve përkatëse./EO/




