Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli kanë prezantuar pakon e re për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në të gjithë Kosovën.
Gjatë prezantimit, u shpalosën masat institucionale për pastrimin e hapësirave publike dhe adresimin e ndotjes mjedisore, përmes një aksioni të ri shtetëror.
Kurti tha se gjendja me mbeturinat është serioze dhe në disa zona mund të konsiderohet edhe emergjencë, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Ai njoftoi se për këtë qëllim është përgatitur një projektligj i ri dhe një aksion kombëtar, i cili synon largimin e rreth 500 deponive ilegale në gjithë vendin, me një buxhet prej 1 milion euro.
Ministrja Pacolli tha se kjo është pakoja më e madhe e këtij lloji deri më tani dhe përfshin rritjen e inspektimeve, forcimin e sistemit të gjobave dhe bashkëpunimin me komunat, duke theksuar se do të ketë masa ndëshkuese për institucionet që nuk përmbushin detyrimet e tyre.




