Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të një rasti në emisionin investigativ “Piranjat”, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe të rëndë.
Ai ka theksuar se siguria dhe dinjiteti i fëmijëve janë parime të panegociueshme për institucionet, duke shtuar se nuk do të ketë asnjë kompromis në raste të tilla.
Gjini ka bërë të ditur se personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga detyra e drejtorit të shkollës, në përputhje me procedurat ligjore dhe se rasti do të trajtohet nga organet kompetente.
Ai ka deklaruar gjithashtu se Komuna e Gjakovës do të bashkëpunojë plotësisht me organet e rendit dhe prokurorinë për zbardhjen e rastit dhe marrjen e masave ligjore.
Sipas tij, personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021, ndërsa ka theksuar se institucionet arsimore në Gjakovë duhet të mbeten të sigurta për nxënësit dhe çdo shkelje e tillë do të ndëshkohet me ligj.




