Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton, ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Kosovë, ku është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Gjatë takimit, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për çështjet e sigurisë në vend dhe në rajon.
Sipas njoftimit, Kurti ka folur për zhvillimet në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë, përfshirë edhe planet për prodhimin e municionit në Kosovë.
Po ashtu, u trajtua edhe çështja e krijimit të Xhandarmërisë së Kosovës, ku Kurti ka shpjeguar konceptin dhe rëndësinë e saj për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n.




