Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është takuar sot me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Gjatë takimit, Jashari e ka informuar Haxhiun për zhvillimet aktuale në FSK, arritjet e deritanishme dhe planet afatgjata për zhvillimin e mëtejmë të forcës. Diskutimet janë përqendruar edhe në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, si dhe në sfidat me të cilat po përballet institucioni.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në misione ndërkombëtare, si një hap që forcon rolin e Kosovës në fushën e sigurisë globale.
Haxhiu ka vlerësuar angazhimin dhe punën e FSK-së në ngritjen e kapaciteteve të saj brenda dhe jashtë vendit.
Në fund të takimit, të dy palët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe avancimit të FSK-së drejt një force moderne, profesionale dhe të orientuar drejt integrimit në NATO.




