Dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se ka vazhduar komunikimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Përmes një postimi në platformën “X”, Sørensen ka theksuar se bisedimet vijnë pas takimit të zhvilluar javën e kaluar në Bruksel.
Ai ka deklaruar se diskutimet janë përqendruar në zhvillimet dhe hapat e ardhshëm të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sørensen ka shtuar gjithashtu se është diskutuar edhe për çështje të tjera, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm në procesin e dialogut.




