Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se një ngarkesë me “spec të kuq të bluar” me origjinë nga Kosova është ndaluar në kufirin me Finlandën, pasi analizat laboratorike kanë treguar prezencë të pesticidit “Carbofuran” mbi kufijtë e lejuar.
Sipas AUV-së, produkti i prodhuar nga kompania “Ananas Impex SH.P.K.” me brendin “Besiana” është asgjësuar nga autoritetet kompetente.
Pas njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka nisur kontrolle shtesë në terren dhe në pikat kufitare, ndërsa konsumatorëve u është bërë thirrje që produktin me të dhënat e publikuara ta kthejnë në pikat e shitjes.
Autoritetet kanë bërë të ditur se inspektimet dhe verifikimet do të vazhdojnë për garantimin e sigurisë ushqimore.




