Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se gjatë muajit maj ka vazhduar verifikimi i njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa.
Sipas Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, nga kontrollet e realizuara janë konstatuar 18 njehsorë me afat të skaduar validiteti, 2 me miratim tipi të tërhequr dhe 30 me pasaktësi në datë dhe orë.
Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut i ka shqiptuar KEDS-it gjoba në vlerë prej 110 mijë eurosh.
Raportet zyrtare të verifikimit i janë dorëzuar edhe KESCO-s, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar.
MINT bëri të ditur se procesi i verifikimit do të vazhdojë deri në shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura nga konsumatorët.




