Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës së kësaj partie, i cili do të mbahet të shtunën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Hamza ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se ky aktivitet do të shënojë përmbylljen e fushatës zgjedhore të PDK-së. Ai ka theksuar se tubimi do të jetë një moment bashkimi dhe mobilizimi politik.
Sipas tij, qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin mesazhin e ndryshimit dhe të kundërshtimit të gjendjes aktuale, duke përdorur sloganin “Stop krizës. Ndrysho Kosovën”.
Hamza ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë moment i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë proces.




