Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, në kuadër të veprimeve kundër trafikimit të substancave narkotike, kanë realizuar sot bastisje në disa shtëpi dhe lokale të dyshuara në qytetin e Gjakovës, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar si prova materiale: rreth 293.96 gram kokainë, 124 gram heroinë, 13 gram marihuanë, si dhe 116 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit të panjohur. Po ashtu janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e shkurtë me dy fishekë, një pushkë ajrore pa numër serik, 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe para të gatshme në shumën prej 6,536.76 euro, 474 dollarë amerikanë dhe 60 franga zvicerane. Janë sekuestruar edhe pesë telefona mobil.
Katër persona të dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë për intervistim, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Prokurori kujdestar ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.




