Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan nuk është vetëm çështje energjetike, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se siguria energjetike është bërë po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake dhe se vendimet që merren sot do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe pozicionin gjeopolitik të vendit për dekadat e ardhshme.
Ajo theksoi se pavarësia energjetike është pjesë e pandashme e pavarësisë shtetërore, duke shtuar se projektet energjetike ndikojnë jo vetëm në ekonomi, por edhe në sigurinë dhe partneritetet strategjike të Kosovës.
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, tha se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit Kosova ka importuar rreth një miliard euro energji elektrike, duke argumentuar se këto mjete do të mund të investoheshin në prodhim vendor dhe modernizim të sektorit energjetik./EO/




