Policia e Kosovës ka njoftuar se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka, në komunën e Zubin Potokut, janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion.
Sipas njoftimit, njësitë policore kanë dalë në terren pas pranimit të një informacioni dhe gjatë kontrollit kanë gjetur: një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek 9×19 mm, dy granatahedhës (tromblon) dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe.
Rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka persona të arrestuar dhe rasti po hetohet më tej. Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe ka ftuar që çdo informacion të raportohet në numrin 192.




