Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka publikuar një analizë krahasuese të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 me ato të 28 dhjetorit 2025, duke evidentuar ndryshime të dukshme në mbështetjen e partive në nivel komunal.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar rënie në përqindje në të 38 komunat e Kosovës. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet partia e parë në 31 komuna, ndonëse ka humbur primatin në tri prej tyre.
Rëniet më të mëdha për LVV janë regjistruar në Suharekë (-14.54 pikë përqindje), Mamushë (-14.07), Junik (-10.30) dhe Rahovec (-10.23).
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rritje në 35 komuna. Sipas analizës, ngritjet më të theksuara janë në Istog (+10.6), Malishevë (+9.2), Junik (+8.6), Suharekë (+8.2) dhe Rahovec (+7.7).
Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ajo paraqitet më stabile në krahasim me subjektet tjera, me rënie në 21 komuna dhe rritje në 16 të tjera. Rritja më e madhe e PDK-së është regjistruar në Malishevë, me rreth +22 pikë përqindje.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shënuar rritje në 30 komuna, kryesisht në përqindje më të vogla, me rezultatet më të larta në Suharekë, Deçan, Rahovec, Junik dhe Gjakovë.




