Çmimet në Kosovë gjatë majit 2026 kanë qenë mesatarisht 6.8 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar te transporti me 14.1 për qind, si dhe te strehimi, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse me 13.2 për qind.
Rritje e vazhdueshme është shënuar edhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 5.1 për qind, duke e bërë shportën bazë të konsumit gjithnjë e më të shtrenjtë. Po ashtu, janë rritur edhe çmimet e restoranteve, shëndetësisë, mobiljeve, rekreacionit dhe veshjeve.
Në anën tjetër, ulje e lehtë është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore me 0.6 për qind. Krahasuar me muajin prill 2026, çmimet kanë shënuar rënie të lehtë prej 0.4 për qind, e ndikuar kryesisht nga transporti dhe energjia.
Të dhënat tregojnë se inflacioni po ndikon pothuajse në të gjitha fushat e jetës së përditshme në vend./EO/




