Në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje nën kryesimin bullgar, liderët e vendeve pjesëmarrëse kanë miratuar Deklaratën e Sofjes, Raportin Vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe përditësimin afatmesëm të Strategjisë SEE2030.
Deklarata shënon 30-vjetorin e SEECP-së dhe rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, stabilitetit, sigurisë dhe integrimit evropian në rajon. Po ashtu, është vlerësuar puna e RCC-së në forcimin e koordinimit dhe zbatimin e projekteve rajonale.
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq, theksoi nevojën për një qasje më strategjike përballë sfidave globale, duke e cilësuar bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri dhe jo vetëm slogan.
Në deklaratë u rikonfirmua edhe perspektiva evropiane e vendeve të rajonit, rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe avancimi i Tregut të Përbashkët Rajonal.
Samiti u përmbyll me dorëzimin e kryesimit të SEECP-së nga Sofja te Bukureshti./EO/




