Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, mori pjesë në Konferencën e Tretë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, e mbajtur në Athinë.
Në fokus të konferencës ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal, harmonizimi i standardeve dhe lehtësimi i tregtisë përmes Korsive të Gjelbra dhe digjitalizimit të procedurave doganore.
Llugaliu, si panelist, theksoi rëndësinë e avancimit të shkëmbimeve elektronike, investimeve në infrastrukturë dhe integrimit të Kosovës në sistemet evropiane të tranzitit, duke e cilësuar këtë si hap të rëndësishëm drejt tregut unik të BE-së.
Ai gjithashtu nënvizoi reformat e fundit të Doganës së Kosovës që kanë përmirësuar ndjeshëm lehtësirat tregtare dhe kanë ulur kostot për bizneset.




