Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e anëtares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Violeta Salihu, lidhur me vendimin për lejimin e votimit me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike.
Ankesa ishte paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili më 5 qershor kishte shfuqizuar vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente të skaduara.
Sipas PZAP-së, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon që votuesit të paraqesin dokumente të vlefshme identifikimi për të ushtruar të drejtën e votës, si në Kosovë ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesja nuk kishte legjitimitet procedural për të ushtruar ankesë në emër personal, pasi një anëtar individual i KQZ-së nuk mund të paraqesë mjete juridike kundër vendimeve të PZAP-së pa qenë palë e drejtpërdrejtë në procedurë ose pa dëshmuar cenim të një interesi juridik personal.
Gjykata theksoi se KQZ-ja vepron si organ kolegjial dhe se pjesëmarrja e anëtarëve në vendimmarrje nuk u jep atyre automatikisht të drejtën për të vepruar individualisht në emër të institucionit.
Për rrjedhojë, Kolegji i Gjykatës Supreme e hodhi poshtë ankesën si të palejuar, pa shqyrtuar përmbajtjen e pretendimeve që lidhen me ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së.




