Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur në takim ekipin e futbollit të Policisë së Kosovës, pas sukseseve të arritura gjatë sezonit 2025/2026.
Ekipi u shpall kampion në Federatën Sportive të Punëtorëve të Kosovës, nënkampion në Policiadën Botërore “Copa del Mare” në Sicili të Italisë dhe kampion në Ligën e Parë të Futsallit, duke siguruar promovimin historik në Superligën e Kosovës.
Gjatë takimit, futbollistët ia dorëzuan drejtorit Hoxha trofetë e fituar, duke theksuar se këto rezultate janë fryt i punës ekipore dhe i mbështetjes së vazhdueshme institucionale.
Hoxha përgëzoi ekipin për arritjet e jashtëzakonshme, duke vlerësuar se ato pasqyrojnë profesionalizmin, përkushtimin, unitetin dhe vendosmërinë që karakterizojnë Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave institucionale në arenat sportive vendore dhe ndërkombëtare.






