Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-komandantin e UÇK-së dhe oficerin në pension të Ushtrisë së Shqipërisë, Adem Shehi, i cili më herët gjatë ditës u nderua me dekoratën “Urdhri i Lirisë”.
Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Kurti e uroi Shehin për dekorimin dhe e falënderoi për kontributin e tij në luftën çlirimtare, nga stërvitja e vullnetarëve deri te angazhimi në vijën e frontit.
Gjatë luftës, Shehi kishte trajnuar grupe vullnetarësh në Farkë të Tiranës, të cilët iu bashkuan UÇK-së, ndërsa më 1999 iu bashkua frontit si pjesë e Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, duke vazhduar edhe me stërvitjen e ushtarëve në Zllash të Prishtinës.




