Protestat qytetare kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit kanë hyrë në ditën e 15-të radhazi. Qytetarët u mblodhën sërish në Tiranë për të kundërshtuar ndërtimin e resortit të parashikuar, një investim me vlerë prej 4 miliardë dollarësh.
Marshimi nisi nga sheshi “Skënderbej” dhe vazhdoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para Kryeministrisë. Protestuesit brohoritën slogane kundër qeverisë dhe projektit, duke kërkuar anulimin e tij dhe ndryshime të thella politike e ligjore.
Lëvizja qytetare ka paraqitur pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike, shfuqizimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike dhe anulimin e projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.
Fillimisht e fokusuar në mbrojtjen e ekosistemit të Zvërnecit dhe Nartës, protesta tashmë ka marrë edhe një dimension më të gjerë politik, me kërkesa që synojnë ndryshime në politikat e investimeve dhe mjedisit në Shqipëri.




