Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nënkolonel Denise McMahon.
Gjeneral Jashari e uroi Nënkolonel McMahon për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë takimit, Komandanti i FSK-së e njoftoi atë për të arriturat e deritanishme të forcës, si dhe diskutoi objektivat për zhvillimin e mëtejmë, me fokus në bashkëpunimin bilateral në fushat e trajnimeve, stërvitjeve, pajisjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Nga ana e saj, Nënkolonel McMahon përgëzoi Gjeneral Jasharin për zhvillimin e FSK-së dhe profesionalizmin e personelit, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe FSK-së.
Në fund, të dy palët u pajtuan që marrëdhëniet bilaterale të avancohen më tej, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së në funksion të përmbushjes së misionit të saj.




