Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015–2025, përmes pensionimit dhe skemës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave të Trustit, rreth 546 milionë euro janë tërhequr nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension gjatë kësaj periudhe. Vlera më e lartë e tërheqjeve është regjistruar në vitin 2020, me 235 milionë euro, si pasojë e masës së tërheqjes së parakohshme të kursimeve pensionale.
Gjatë periudhës dhjetor 2020 – prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro shtesë, nga të cilat kanë përfituar mbi 427 mijë persona.
Sipas statistikave, numri i pensionistëve përfitues ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në 8.633 persona në vitin 2025. Edhe pas pandemisë, tërheqjet vjetore kanë mbetur në nivele të larta, me 71.6 milionë euro në 2023, 69.7 milionë euro në 2024 dhe 82.9 milionë euro në 2025.
Në total, gjatë një dekade, nga Trusti janë tërhequr rreth 744 milionë euro për pensionime dhe masa të jashtëzakonshme.




