Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas KQZ-së, procesi i numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur më 12 qershor dhe është përmbyllur më 17 qershor, gjatë të cilit janë numëruar 223 kuti votimi me fletëvotime të aprovuara nga shërbimi votues.
Institucioni zgjedhor bëri të ditur se rezultatet janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.
Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa për këtë formë votimi ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës.
Po ashtu, KQZ njoftoi se nga 85 mijë e 790 pako të vlerësuara me fletëvotime, janë aprovuar 82 mijë e 809, ndërsa 2 mijë e 981 janë refuzuar.




