Mungesa e përvojës dhe praktikat e papaguara po mbeten ndër pengesat kryesore për punësimin e të rinjve në Kosovë, u tha në një aktivitet të mbajtur në Prishtinë nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, ku u prezantuan edhe rekomandime për përmirësimin e situatës në tregun e punës.
Në kuadër të projektit “YEEP II – Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja”, u theksua nevoja për orientim më të mirë në karrierë, më shumë praktika profesionale të paguara dhe përfshirje më të madhe të të rinjve në tregun e punës.
Drejtoresha nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate R. Salihu, tha se projekti ka nisur në vitin 2020 dhe ka ndikuar në rritjen e aftësive, vetëbesimit dhe punësueshmërisë së qindra të rinjve përmes trajnimeve, mentorimit dhe mbështetjes për iniciativa biznesore.
Nga Ministria e Arsimit u tha se orientimi në karrierë po përfshihet në strategjitë dhe reformat e reja arsimore, me synim lidhjen më të fortë të arsimit me tregun e punës dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në punësim.
Ndërsa përfaqësues nga Ministria e Punës theksuan se po punohet në legjislacion të ri që synon kalimin nga mbështetja pasive sociale drejt aktivizimit të përfituesve në tregun e punës.
Nga ana e të rinjve, u ngritën shqetësime për mungesën e përvojës dhe praktikat e papaguara, duke kërkuar që institucionet të garantojnë mundësi të barabarta, mbulim të shpenzimeve dhe qasje më të drejtë në praktika profesionale.




