Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se më 20 qershor do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore për vitin 2026, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra testimi në gjithë Kosovën.
Sipas MASh-it, për administrimin e testit janë angazhuar 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë komisionesh.
Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30, ndërsa maturantët duhet të paraqiten në qendrat e testimit më së voni në orën 09:00 për procedurat e identifikimit dhe sistemimit.
Provimi do të zhvillohet brenda një dite dhe përmban gjithsej 100 pyetje, të ndara në katër lëndë: gjuhë amtare, gjuhë angleze, matematikë dhe lëndë zgjedhore.
Ministria ka rikujtuar se përdorimi i telefonave mobilë dhe pajisjeve elektronike është i ndaluar rreptësisht dhe çdo kandidat që konstatohet me to do të largohet nga testi.
Në fund, MASh u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces vlerësimi.




