Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike ku ka miratuar disa vendime që lidhen me emërime dhe vazhdime mandatesh në institucione të ndryshme shtetërore.
Është miratuar emërimi i Komisionit të Pranimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si dhe Komisionit për pozitën e Komisionerit për Gjuhët.
Po ashtu, është miratuar edhe Komisioni i Pranimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin për Komisionin për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.
Gjithashtu, është vendosur vazhdimi i mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, me mandat të ri që zgjat nga 22 qershor deri më 22 shtator 2026.




