Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, dhe kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, kanë hapur në Tiranë një punëtori të përbashkët për shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian.
Punëtoria njëditore vjen pas dakordimit për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, të arritur në takimin e tyre më 20 prill.
Gjatë diskutimeve, vëmendja është përqendruar në përgatitjet për pyetësorin e Bashkimit Evropian, procesin e “screening”-ut dhe krijimin e strukturave ndërinstitucionale që do të udhëheqin negociatat.
Institucionet e Kosovës kanë theksuar synimin për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me BE-në, duke theksuar rëndësinë e përgatitjeve të hershme dhe koordinimit institucional.
Nga të dy palët u vlerësua se përvoja e Shqipërisë në procesin e negociatave përbën një mbështetje të rëndësishme për Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve për integrimin evropian.




