Raporti vjetor i auditimit ka evidentuar shkelje dhe parregullsi në një kontratë rrugore të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr atëkohë nga Liburn Aliu.
Bëhet fjalë për tenderin për ndërtimin e rrugës rajonale R118, segmenti Mushtrisht–Shtërpcë, me vlerë prej rreth 2.97 milionë eurosh, ku kompania fituese kishte ofertuar çmime jashtëzakonisht të ulëta në disa pozicione të paramasës, përfshirë raste me çmim prej vetëm 1 euro.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për disa punime të ndërtimit të trasës dhe lëshesave rrethore janë ofertuar çmime simbolike, ndërsa komisioni i vlerësimit nuk ka kërkuar sqarime shtesë nga operatori ekonomik, siç parashihet me Ligjin për Prokurimin Publik.
Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur për shkak të mangësive në kontrollin e brendshëm dhe moszbatimit të kërkesave ligjore për trajtimin e tenderëve me çmime jo normalisht të ulëta.
Sipas raportit, moskërkimi i sqarimeve mund të ndikojë në realizimin e kontratës, cilësinë e punimeve, si dhe në transparencën dhe konkurrencën e drejtë në procesin e prokurimit publik.




