Deputetja e rizgjedhur e LDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Jehona Lushaku, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën e organizimit të Testit të Maturës, duke e cilësuar procesin si të padrejtë për maturantët dhe rezultat të një dështimi të paralajmëruar institucional.
Përmes një reagimi publik, Lushaku tha se më herët kishte propozuar ndryshime në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës, duke kërkuar masa shtesë për ruajtjen e integritetit të testit, përfshirë monitorim më të avancuar dhe përdorimin e pajisjeve elektronike që do të pengonin komunikimin dhe kopjimin gjatë testimit.
Sipas saj, këto propozime nuk janë marrë parasysh, ndërsa problemet e raportuara në procesin e maturës tregojnë mungesë vullneti për të parandaluar parregullsitë.
Lushaku vlerësoi se situata e krijuar mund të shkaktojë padrejtësi mes nxënësve dhe të dëmtojë besueshmërinë e testit, duke shtuar se arsimi nuk ka qenë prioritet i qeverisë. Ajo kërkoi që ministri në detyrë i Arsimit, Hajrullah Çeku, të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqje.




