Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është në pritje të përfundimit të të gjitha procedurave ankimore dhe vendimmarrjes nga institucionet kompetente, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i shpalljes së rezultateve përfundimtare varet nga epilogu i ankesave që aktualisht janë në shqyrtim.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes së institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, deklaroi Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore dhe zbatimit eventual të vendimeve të institucioneve përgjegjëse, do të mund të vazhdohet me hapat e mëtejmë drejt certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.




