Eksperti i arsimit, Argjend Osmani, ka deklaruar se edhe këtë vit në Testin e Maturës Shtetërore janë vërejtur të njëjtat probleme si në vitet e kaluara, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e organizimit të tij.
Sipas tij, ka dyshime se shpërndarja e testit ndikon në rritjen e përqindjes së kalueshmërisë, duke u cilësuar si një praktikë që, sipas tij, dëmton seriozitetin e procesit dhe reflektimin real të dijes së nxënësve.
Osmani ka kritikuar edhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se arsimi nuk është trajtuar si prioritet dhe se mungon përgjegjësia institucionale. Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për masa teknike dhe vetëdijesim më të madh për të parandaluar keqpërdorimet gjatë testimit.
Megjithatë, ai është shprehur kundër anulimit të testit, duke theksuar se ai mbetet i domosdoshëm për nxënësit që synojnë studimet jashtë vendit.
Testi i Maturës Shtetërore është mbajtur më 20 qershor, ku kanë marrë pjesë mbi 19 mijë nxënës në 152 qendra testimi në të gjithë vendin.




