Në një kohë kur Kosova përballet me rritje të çmimeve dhe sfida ekonomike, mbi 150 mijë euro në muaj dalin nga buxheti i shtetit për të financuar “pagën kalimtare” të ish-deputetëve.
Sipas të dhënave nga Kuvendi i Kosovës, rreth 80 ish-deputetë kanë aplikuar për këtë përfitim, i cili arrin në 1.914 euro në muaj për secilin dhe mund të zgjasë deri në 12 muaj pas përfundimit të mandatit. Në total, kjo skemë i kushton shtetit rreth dy milionë euro në vit.
Edhe pse e garantuar me ligj, kjo pagesë po kritikohet nga ekspertët si e diskutueshme nga aspekti etik dhe ekonomik. Sipas tyre, në një situatë me inflacion të lartë, papunësi dhe paga mesatare të ulëta, këto fonde mund të orientoheshin në sektorë më prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe punësimi.
Ekspertët propozojnë rishikimin e skemës, duke sugjeruar shkurtimin e periudhës së përfitimit në 3–6 muaj ose lidhjen më të drejtë me kohëzgjatjen reale të mandatit parlamentar.




