Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Z.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet në paraburgim, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2025, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri dyshohet se ka transportuar pa autorizim substanca narkotike gjatë hyrjes në territorin e Kosovës. Ai kishte marrë me qira një automjet në Tiranë dhe ishte nisur drejt Kosovës.
Gjatë kontrollit kufitar, autoritetet kanë gjetur nën ulësen e shoferit një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 575.71 gram. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të të pandehurit është gjetur edhe 0.35 gram substancë e dyshuar marihuanë.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi./EO/




