Një i ri ka humbur jetën tragjikisht sot në vendin e punës në Prizren, pasi u aksidentua nga një pompë betoni gjatë kryerjes së detyrave të tij. Rasti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në vendet e punës në Kosovë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se ky është rasti i 13-të fatal në vendin e punës që nga fillimi i vitit, duke e cilësuar situatën si alarmante. Sipas tij, numri i aksidenteve me pasoja fatale po vazhdon të rritet.
Azemi ka akuzuar pronarët e kompanive për mosrespektim të ligjit për siguri dhe shëndet në punë, si dhe institucionet përgjegjëse, përfshirë Inspektoratin e Punës, për mungesë të mjaftueshme mbikëqyrjeje në terren.
Ai theksoi se, megjithëse nuk mund të eliminohen plotësisht aksidentet në punë, respektimi i ligjit dhe rritja e vigjilencës do të mund të ulnin ndjeshëm numrin e rasteve fatale.
Po ashtu, Azemi kërkoi mbështetje institucionale për familjen e viktimës, duke thënë se duhet ndihmë zyrtare nga Qeveria e Kosovës për ceremoninë e varrimit dhe shpenzimet e tjera të rastit.




