Një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës për stabilizimin e rrëshqitjes së dheut në segmentin Klinë–Gurrakoc ka ngritur dilema lidhur me procedurat e prokurimit dhe ndërhyrjet në prona private pa përfunduar shpronësimi.
Bëhet fjalë për një investim prej rreth 373 mijë eurosh në zonën e njohur si “Shembja e Skelëve” në Krushevë të Vogël të Klinës, ku reshjet e shiut kishin shkaktuar dëmtime të rrugës dhe rrezik për qarkullimin.
Megjithëse dëmet ishin shfaqur në fillim të vitit, kontrata për sanim është nënshkruar më 5 qershor 2026 përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me arsyetimin e urgjencës.
Kontrata i është dhënë kompanisë “Granit” nga Istogu, ndërsa projekti parasheh ndërhyrje të thella inxhinierike, përfshirë gërmime, mure mbajtëse, drenazhime dhe pilotë betoni të armuar.
Sipas raportimeve, një pjesë e punimeve po zhvillohet brenda një parcele private, ndërsa pronari pretendon se nuk ka pasur marrëveshje për shpronësim dhe se ndërhyrjet kanë dëmtuar pronën e tij.
Ai kërkon sqarime institucionale dhe trajtim ligjor të çështjes, duke thënë se nuk e kundërshton projektin, por kërkon respektim të procedurave dhe kompensim për dëmet e shkaktuara.
Nga Ministria e Infrastrukturës pranohet se një pjesë e punimeve po zhvillohet në parcelë ende të pashpronësuar, por theksohet se ndërhyrja është bërë për shkak të urgjencës dhe rrezikut në terren, ndërsa procedurat e shpronësimit do të vazhdojnë paralelisht me projektin.




