Bordi i ri i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) ka shqiptuar masa ndëshkuese ndaj mediave në pesë nga gjashtë mbledhjet e mbajtura që nga 15 maji, ndërsa në një rast ka dhënë vetëm vërejtje.
Vendimet e fundit të KPM-së kanë nxitur reagime nga organizatat që mbrojnë lirinë e medias. Fillimisht, mbështetje për mediat shprehu Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndërsa të hënën reagoi edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Kjo organizatë vlerësoi se masat financiare nuk duhet të përdoren për të kufizuar zërat kritikë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gazetarisë.
Në reagimin publik, drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve theksuan se gazetaria e lirë nuk mund t’i nënshtrohet presioneve apo diktatit.
Gjatë javëve të fundit, mediat në Kosovë janë gjobitur me dhjetëra mijëra euro nga KPM-ja, për atë që institucioni i ka cilësuar si shkelje gjatë fushatave zgjedhore.




