Dy kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme duke kërkuar rinumërim të plotë të votave të subjektit të tyre politik nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Ata pretendojnë se procesi i rinumërimit i urdhëruar më herët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë pasaktësi në numërimin fillestar, duke ngritur dyshime për saktësinë e rezultatit zgjedhor. Sipas tyre, edhe ndryshimet në votat preferenciale gjatë procesit të deritanishëm dëshmojnë nevojën për verifikim të plotë.
Haxhiu tha se ligji garanton të drejtën për një proces të saktë dhe mundësinë e rinumërimit kur evidentohen gabime, duke kërkuar që Gjykata Supreme të obligojë KQZ-në për rinumërim të plotë të votave preferenciale të PDK-së.
Ndërkohë, Kryeziu deklaroi se do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore deri në fund, duke theksuar se çdo votë duhet të numërohet saktë dhe sipas vullnetit të qytetarëve.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më herët ka refuzuar si të pabazuara ankesat e tyre lidhur me rinumërimin e plotë të votave./EO/




