Zëvendëskomandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral brigade Federico Collina, ka mirëpritur në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” gjeneralmajor Mark Pullan CBE, drejtor i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s.
Gjatë takimit u diskutua situata e sigurisë në rajon, ku gjeneral Collina rikonfirmoi përkushtimin e KFOR-it për të garantuar një ambient të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Ai gjithashtu prezantoi aktivitetet aktuale të KFOR-it dhe prioritetet kryesore për të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.






