Një aksident trafiku i ndodhur më 6 qershor në Malishevë ka nxitur ankesa dhe dyshime për mënyrën e trajtimit të rastit nga autoritetet.
Afrim Morina, i cili u shpall fajtor dhe u gjobit me 300 euro, ka pretenduar se gruaja me të cilën u aksidentua ishte prezantuar si zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjë që sipas tij mund të ketë ndikuar në trajtimin e rastit.
Sipas deklarimeve për “Kiks Kosovën”, bashkëshorti i saj ka thënë se ajo punon në Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe se në momentin e aksidentit po përdorte veturë zyrtare. Megjithatë, MPB ka konfirmuar se Shëndrita Latifi nuk është e punësuar në asnjë strukturë të saj.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rrethanat e aksidentit janë vërtetuar përmes kamerave të sigurisë dhe dëmtimeve në automjete, ndërsa gjoba është shqiptuar sipas ligjit.
Pas ankesës së qytetarit, Inspektorati Policor i Kosovës ka shqyrtuar rastin dhe ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale, por lënda është përcjellë për trajtim administrativ-disiplinor në kuadër të Policisë së Kosovës.




