Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti i saj politik është i gatshëm të diskutojë seriozisht për zgjedhjen e një presidenti apo presidenteje konsensuale dhe jopartiake.
Ajo theksoi se përvoja e deritanishme ka treguar se kandidatët partiakë nuk kanë qenë zgjidhja më e mirë për këtë post, duke pasur parasysh rolin unifikues që presidenti duhet të luajë në vend.
“Sot jemi të gatshëm të bisedojmë shumë seriozisht. Lëvizja Vetëvendosje, në këtë moment që po flasim, është e gatshme dhe e interesuar që të dakordohet për një emër konsensual dhe jopartiak për president apo presidente të Kosovës. Praktika po na dëshmon çdo ditë se kandidatët partiakë nuk janë shembulli më i mirë, edhe për shkak të rolit unifikues që duhet ta ketë presidenti”, ka deklaruar Nagavci në RTV Dukagjini.




