Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi dyshohet se kishte vjedhur disa qengja dhe më pas i kishte shitur ato.
Sipas njoftimit policor, më 23 qershor 2026, hetuesit e Stacionit Policor Prizren Veri identifikuan dhe lokalizuan të dyshuarin D.T. nga fshati Serbicë e Poshtme. Ai dyshohet se më 14 qershor kishte vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1 mijë euro në fshatin Piranë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa është iniciuar edhe kallëzim penal.
Gjatë vazhdimit të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në Serbicë të Poshtme. Pas përfundimit të procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara iu kthyen pronarit të tyre.
Policia bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.





