Ushtarët e Ekipit të Bashkëpunimit Civil-Ushtarak (CIMIC), të angazhuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W) të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë dhuruar pajisje edukative për shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Dituria” në Samadrexhë të Suharekës.
Donacioni përfshin kompjuterë personalë, projektorë, printer dhe një tabelë të bardhë digjitale 75 inç, të cilat pritet të ndihmojnë në përmirësimin e procesit mësimor dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Sipas KFOR-it, kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të bashkëpunuar me institucionet dhe komunitetet lokale, duke mbështetur arsimin dhe zhvillimin e të rinjve në Kosovë.
KFOR-i theksoi se do të vazhdojë të kontribuojë në projekte që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve, duke vepruar në mënyrë transparente dhe të paanshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve.




