Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 265,712.40 euro për modernizimin e sistemit të monitorimit në Termocentralin “Kosova B”.
Sipas njoftimit, projekti përfshin demontimin, furnizimin, montimin, lëshimin në punë dhe komisionimin e sistemit të monitorimit të vibrimeve, zgjatjeve diferenciale, zhvendosjeve aksiale dhe zhvendosjes absolute për njësitë B1 dhe B2.
Fitues i tenderit është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë “Bionics SH.P.K.” dhe “TURBOCOM d.o.o”.
KEK kishte parashikuar fillimisht një vlerë prej 266 mijë eurosh për këtë aktivitet, ndërsa oferta fituese rezultoi të jetë rreth 300 euro më e ulët se buxheti i planifikuar.
Ky investim synon përmirësimin e monitorimit teknik në njësitë prodhuese të “Kosova B”, duke mundësuar mbikëqyrje më të saktë të parametrave mekanikë dhe identifikim më të hershëm të problemeve potenciale në pajisjet kryesore të prodhimit të energjisë.




