Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka trajtuar gjithsej 1,567 ankesa të konsumatorëve gjatë periudhës janar–qershor 2026.
Sipas raportit të këtij departamenti, pjesa më e madhe e ankesave lidhet me keqllogaritjet e njehsorëve elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve raft–arkë në markete, blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit.
Në komunikatën për media theksohet se ky numër i lartë ankesash tregon se një pjesë e operatorëve ekonomikë nuk po i respektojnë plotësisht dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e qytetarëve.
Për këtë arsye, MINTI vlerëson të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për forcimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve në të gjithë vendin.
Ankesat janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).
MINTI u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në emailin [[email protected]](mailto:[email protected]).




